Most read

Njëmbëdhjetë vite pa mësuesin e hafëzllarëve të trojeve shqiptare

Nehat Ismaili

Hafiz Refik Ajeti ishte njëri ndër gjenitë më të mëdhenj të kuranit fisnik në Maqedoninë e Veriut në fund të shekulli XX dhe fillim të shekullit XXI.

“I lindur në fshatin Likovë, më datë 13.11.1930 dhe aty mbaroi shkollën fillore. Kishte shumë dëshirë qysh si i vogël të bëhej hafiz i kuranit fisnik dhe vendosi që mësimet e para të hifzit ti marrë te hoxhë Besim Abazi nga fshati Hotël. Pas njëkohe ndoqi mësimet edhe tek hoxha i fshatit Opajë, Ibrahim ef.Latifi dhe aty arriti të përfundojë memorizimin e kuranit fisnik. Për të përforcuar edhe më tepër memorizimin e kuranit fisnik, ndoqi mësimet tek hfz. Aziz Fetahu, i cili atë kohë ishte mufti i Shkupit por që kishte hapur një mekteb në fshatin Likovë. Dëshira e flaktë e tij për të vazhduar shkollimin e shtyu që të shkojë deri në Prishtinë tek myderrisi i njohur ndër shqiptarët Hasan Nahi, i cili ishte atëkohë profesor në Medresenë “Alauddin”. Aty hafiz Refiki i ndoqi mësimet për tre vite me rradhë duke mësuar texhvidin e kuranit fisnik. Në vitin 1967, pas një operacioni të syve, e humbi shikimin dhe prej asaj kohe deri në vdekjen e tij nuk ka mundur të shohë me sytë e tij.” (Enver Zekiri, Dëshmi Kohe,Historiku i Myftinisë së Kumanovës (1940-2011), fq.242).

Ndonëse ishte i verbër dhe shikimin e kishte humbur në moshë të re, por kjo nuk e pengoi që më shumë dinjitet ti përkushtohet punës si imamit dhe prijësit fetar në xhami me pikëpamje reformiste, që përçonte mesazhin e humanizmit, atdhedashurisë, vlerave shpirtërore dhe atyre patriotike autoktone, duke këshilluar njerëzit në xhami dhe mexhlise në formë të këshillave dhe bashkëbisedimit me njerëzit. Ai ishte armiku më i madh i xhahilëve-siç e kishte zakon ti quante njerëzit e pashkolluar e kokëbosh, në çdo ndjeje dhe mexhlis ose fliste për vlerën e arsimit dhe edukimit ose kishte dëshirë të dëgjoj nga njerëzit e arsimuar.

Ishte njeri me shumë dinjitet dhe karakter, e donte dhe e çmonte shumë familjen, ishte përkushtuar më tërë qenien e tij për arsimimin dhe edukimit e brezave të rinj. Nuk lëshonte pe dhe nuk tregonte mirëkuptim karshi situatave në të cilën kërkohej tjetërsimi kombëtar në emër të bashkim vëllazërimit dhe aty ku nëpërkëmbej feja, xhamia dhe mësimet fetare që zhvilloheshin në emër «gjoja emancipimit dhe integrimit».

Ndonëse nuk arriti të shkollohej shumë shkaku që në moshë të re humbi shikimin, megjithatë ai nuk u mbyll në aspektin intelektual dhe nuk ishte fanatik ndaj ideve reformiste, sepse ishte produkt i vlerave të civilizimit islam. Ai shpesh herë gjatë ndejave dhe bisedave që zhvillonim më fliste për Bosnjën, për organizimin e jetës fetare, kulturore dhe shoqërore, për kapacitetet e intelektualëve boshnjakë, për xhaminë e madhe në Sarajevë, çarshinë, dhe jetën brenda rrugëve të Sarajevës. “ Në Sarajevë për njëzet vite me rradhë ka kënduar mukabele në katër xhamitë më të mëdha të Sarajevës edhe atë nga viti 1970 deri në vitin 1990. Gjithashtu ka kënduar mukabele në Gjakovë, Në Novi Pazar dhe në vendilindjen e tij në fshatin Likovë” (Po aty,fq.244).

Ai luftonte për një shoqëri në të cilën duhet të mbretërojë drejtësia, ishte kundërshtari më i madh i shtypjes intelektuale, shoqërore dhe politike. Ai e sakrifikoi jetën e tij për këtë kauzë dhe deri në vdekje mbarti dhe përçoi këtë ide dhe këtë kauzë. Pushteti i atëhershëm monist e kishte burgosur për këto ide revolucionare duke e futur në burg një njeri i cili ishte i verbër por gjuhën dhe shpirtin e kishte më të mbrehtë se shpata.

Dhe ne e dimë se pas çdo kauze të drejtë qëndron një njeri i palëkundshëm; pas çdo kauze të qëndrueshme dhe të drejtë është një popull që lufton për dinjitetin e tij dhe kur populli lufton për dinjitetin e tij kjo është më së shumti që i frikëson armiqtë e kombit, e në krye të tyre do të takoje hoxhallarët të gjeneratës së vjetër si Hafiz Refik Ajeti, dhe shumë të tjerë.

Hafiz Refik Ajeti ishte origjinali i vetes së tij, ai ishte unik si në veshje, në biseda dhe diskutime. Ai nuk kopjonte askënd, sepse nuk dëshironte të imitojë askënd. Kishte një vullnet jashtëzakonisht të madh dhe menaxhonte për mrekulli xhaminë e fshatit Likovë, e sidomos puna me nxënësit në mekteb të xhamisë, me gjeneratën e artë të hafizlerëve përfshirë djem dhe vajza. Me dhjetëra hafizlerë, djem dhe vajza dolën nga dora dhe kontributi i tij, të cilët shquhet për leximin e kuranit fisnik brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut.

Ai e donte leximin dhe kërkonte që çdo herë ti lexohen libra dhe tekste, kishte një vullnet të zjarrtë për të mësuar çdo herë e më shumë e krejt kjo ndërlidhej me faktin se kishte një gjendje të përparuar mendore e cila lidhej me të kuptuarit e tij të thellë dhe aftësinë e përpunimin dhe analizimit të fakteve, informacioneve dhe absorbimin e tyre.

Ishte një rebel i vërtetë ndaj zullumit dhe tiranisë dhe ai shumë lehtë dhe guximshën e përdorte fjalën “Jo”. Ai jetoi dhe vdiq për ide, nuk kishte frikë të përballej me sfida, dhe nuk lejoi të përdorej lehtësisht nga tjerët por jetoi dhe vdiq në shërbim të popullit, të vlerave dhe në emër të Zotit. Nuk kam takuar njeri në jetë që ka kënduar përmendësh kuranin aq shumë sikur ai. Ai lexonte kuranin çdo ditë, por jo mënyrë tradicionale. Ai kërkonte që hoxhallarët e rinj të kenë qasje tjetër ndaj kuranit me mendje të gatshme në mënyrë inteligjente dhe me besnikëri të lexohet, të kuptohet, të interpretohet dhe të jetohet me historitë dhe rrëfimet e tij dhe të meditohet në mënyrë që të kuptohen ligjet dhe fshehtësitë e kuranit fisnik.

Ai kërkonte që hoxhallarët e rinj të udhëtojnë në vende të ndryshme sa herë që u jepet mundësia për të mësuar nga përvojat e tjerëve, të përzihen me njerëz kur i takojnë, të diskutojnë dhe të paraqesin mendimet e tyre me guxim, të mos turpërohen kur flasin dhe të thonë gjënë e duhur në vendin dhe kohën e duhur.

Ai kërkonte që humbja të shndërrohet në fitore, siç e dëshmoi praktikisht duke e shndërruar humbjen e syve në fitore. Betohem në Zotin që asnjëherë nuk e kam dëgjuar të jetë ankuar për humbjen e syve. Shpesh herë e me ofshamë duke tundur kokën bëhej nervoz kur dëgjonte sesi njerëzit ankohen e qahen për gjëra të kota e të parëndësishme, kjo e irritonte tej mase. “Kur qanë në emër të Zotit është adhurim ndërsa të qash për dynjallëk është mjerim”-thoshte Hafiz Refik Ajeti, rahmet i pastë shpirti.

Ai kërkonte nga brezat e rinj të shikojnë të ardhmen e të mos jetojnë me lavdinë e së kaluarës, sepse e kaluara ka përfunduar dhe ajo faqe është përmbyllur njëherë e përgjithmonë dhe çdo herë duhet të hapet një faqe e re, një perspektivë sepse gjërat ndryshojnë, thoshte i ndjeri. Hafiz Refik Ajeti jetoi me Zotin dhe për Zotin, lutej vazhdimisht që Zoti të bekojë jetën e tij dhe që vdekjen e tij ta bëj një dëshmi në emër të Zotit.

Ai planifikoi dhe veproi për të ardhmen e fesë, vlerave shpirtërore dhe intelektuale duke nxjerrë një numër të madh të nxënësve që memorizuan kuranin fisnik përfshirë këtu djem dhe vajza. Ndër më të shquarit dhe më të njohurit në botën shqiptare dhe më gjerë, dy emblemat dhe gjenitë e kuranit fisnik, hafiz Aziz Alilin dhe djalin e tij, dr.hfz.Bajram Ajetin, të cilët janë pjesë e jurisë për garat ndërkombëtare të memorizimit të kuranit fisnik si komision vlerësues, dhe shumë nxënës të tjerë mes tjerash edhe bashkëshorten time, hfz.Nakie Fetahi-Ismaili.

Jetoi në shërbim të tjerëve, nuk ishte egoist, fliste atë që ishte në dobi të tjerëve, dhe shpirtin ia dorëzoi Allahut me shumë dinjitet dhe besim më 18 mars 2010.

Kam pasur nderin dhe kënaqësinë që nga viti 2001 deri në vdekjen e tij ta vizitoj pothuajse shtatë apo tetë herë brenda vitit, por shumë sinqerisht kishte një mikpritje të ngrohtë, shumë i këndshëm dhe ishte shumë bujar. Asnjëherë nuk mërzitej kur në shtëpinë e tij trokiste mysafiri.

Është privilegj dhe nder për mua që ti shkruaj disa rreshta për këtë njeri kaq madhështor por kënaqësia më e madhe ishte bashkëbisedimi me të.

Hafiz i nderuar, Refik Ajeti!

Allahu e bëftë varrin tënd një kopsht prej kopshteve të xhenetit ndërsa në botën tjetër qofsh në shoqëri të profetëve, të njerëzve të sinqertë, të devotshëm e të mirë!

Aarburg,30.03.2021

(DAIGS / KMSHZ)

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP