Most read

Lexuesi bashkëkohor i Kur’anit

Hfz. Mehas Alija

Kemi numër të madh hatmesh, leximesh e mësimesh përmendësh të Kur’anit, por nuk kemi për hatër të Kur’anit respektim të tjetrit, familjes, shoqërisë, botës, xhamisë, rendit, namazit, duasë, prindërve, gruas, etj. Kemi kuantitet, e shumë pak kualitet, respektim të lartë të Mus’hafit, e fare pak të mësimeve, përmbajtjes dhe normave të tij.

Recipienti, gjegjësisht lexuesi i Kur’anit, sot është bërë perde ndaj rrethit ku jeton dhe vepron dhe pengon që drita e Kur’anit të depërtojë në sistem dhe në çdo pore të jetës shoqërore. Faj kemi dhe ai nuk është i Librit të Allahut, por eksplicitë i yni, i njerëzve të papërgjegjshëm, të cilët, po përdor një metaforë, me zemrën e Kur’anit, Jasinin, lëndojnë zemrën e njeriut, kalbin e tij.

Në të kaluarën tonë të suksesshme, leximet e Kur’anit ishin lexime të thelluara, studiuese, plotë reflektime të dobishme ndaj botës dhe njerëzve. Leximet e Librit të Allahut lexoheshin me gjuhë, por buronin nga zemra, e kristalizoheshin në vepra.

Problemi i njeriut bashkëkohor në raport me Kur’anin është se ai beson në fjalët e Kur’anit, beson se është i vërtetë, i drejtë dhe i saktë, si dhe beson se për çdo shkronjë të tij, kur lexohet, fitohet nga dhjetë sevape, por nuk beson se Kur’ani mund t’ia rregulloj jetën atij, se mund t’ia përmirësoj kualitetin e shëndetit dhe të punës, se mund të jetë rregullator dhe udhëzim drejtë sukseseve në fe, teknologji, inxhinieri, shkencë, kulturë, gjuhë, sport, si dhe në rregullimin e marrëdhënieve brenda familjes dhe shoqërisë. Me fjalë të tjera, njeriu i sodit beson se Kur’ani ka rregull të mahnitshëm brenda vetes, por nuk beson se ai mrekullisht mund t’ia rregulloj jetën atij në dynja dhe në ahiret. Ky është problemi ynë me Kur’anin. Ne nuk e besojmë dhe nuk punojmë ashtu siç e meriton, siç edhe vetë Allahu fuqiplotë ka thënë:

“Në Libër asgjë nuk kemi lënë mangët.” (El-En’am, 38).

“Ne ty ta shpallëm Librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” (En-Nahl, 89).

“Atyre, të cilëve ua dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejt ashtu si është, ata e besojnë atë (Kur’anin).” (El-Bekare, 121).

Se Kur’ani posedon rrugëdalje dhe zgjidhje për çdo gjë të jetës sonë, nuk ka asnjë dilemë. Na përcillet një rrëfim nga hazreti Aliu r.a. i cili ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin e Zotit të ketë thënë: “Do të vijnë sprova dhe mundime të mëdha.” E unë e pyeta: “E, cila është rrugëdalja?” “Libri i Allahut” – mu përgjigj Muhammedi a.s.“ (Darimiu dhe Tirmidhiu)

Po ashtu, në një rast tjetër, Muhammedi a.s. ka thënë: “Ata të cilët shoqërohen me Kur’anin janë njerëz të Allahut dhe të zgjedhurit e Tij.” (Ibn Maxhe). Tani, të jesh njeri i zgjedhur i Zotit, njeri i Kur’anit, të lexosh dhe të mësosh atë natë e ditë, ndërsa të jesh larg edukatës dhe mësimit të tij të përbotshëm, më duket se kjo bashkëjetesë me të është e padrejtë dhe jokorrekte.

Me Kur’anin mund të ecësh drejtë dhe mund të bashkëjetosh bukur, vetëm nëse e lexon dhe mëson, jo për kuantitet, por për kualitet dhe kënaqësi. Ai nuk u zbrit vetëm për ta lexuar gjuhët, apo për ta mësuar mendjet, por për ta mësuar dhe për të vepruar me të, me aq sa të jetë e mundur.

Si porosi të fundit do ta shtoja edhe këtë, Kur’anit duhet t’i japim mundësinë që të luaj rolin e orientuesit, gjegjësisht navigatorit, në jetë tonë. Mu ashtu siç ishte më parë, kur muslimanët u ngritën në qytetërim udhëheqës në botë. Fjala e Abdullah ibn Abasit është frymëzim i madh për ne sot. Ai në një rast pati thënë: “Po të më humbej litari i devesë, edhe atë, në librin e Allahut e gjeja.” Kjo, për shkakun se Kur’ani përmban informacione, njohuri, dituri, të fshehta, urtësi dhe mjeshtëri të pasosura. (Osman Nuri Topbash, 2010).

Ja se çfarë thotë vetë Kur’ani:

„Edhe sikur pemët mbi tokë të bëhen pena dhe detrat bojë, fjalët e Allahut nuk mbarojnë…“ (Lukman, 27).

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP