Most read

URIMI ME RASTIN E FILLIMIT TË MUAJIT TË RAMAZANIT

22.03.2023, e mërkurë

Të nderuar vëllezër e motra!

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër njofton besimtarët muslimanë se të mërkurën në mbrëmje, më 22 mars 2023, me perëndimin e diellit, fillon muaji i bekuar i Ramazanit, me ç’rast do të falen edhe teravitë e para, ndërsa të enjten, më 23 mars, 2023, është dita e parë e agjërimit të muajit të Ramazanit për vitin 2023 / 1444 H.

KMSHZ me këtë rast ju uron të gjithë besimtarëve muslimanë që jetojnë në Zvicër ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, duke e lutur All-llahun xh.sh. që netët dhe ditët e tij të jenë plotë begati, mirësi, harmoni, tolerancë dhe dashuri të ndërsjellë.

Të nderuar besimtarë!

Muaji i Ramazanit është muaji më i veçantë i vitit dhe besimtarët i gëzohen jashtëzakonisht ardhjes së tij, pasi në të takohen adhurimet e mëdha të fesë siç është agjërimi, namazi, leximi i Kur’anit, përmendja e Zotit, bamirësia, afërsia familjare, shoqërimi me njerëz të mirë, si dhe reflektimi mbi vlerat më themelore sociale, humane e njerëzore.

Ramazani është muaji në të cilin besimtarët mësojnë të çmojnë jetën dhe atë ta kalojnë me kujdes dhe seriozitet të lartë. Gjatë agjërimit edukohemi që të mendojmë jo vetëm për vetveten, por edhe për të tjerët, për ata që u mungon ushqimi dhe pija, si dhe përgatitemi për të duruar në situata të ndryshme që sjell jeta. Pejgamberi a.s. ishte human dhe ndihmonte gjatë gjithë vitit, por në muajin e Ramazanit ndryshonte dhe ishte më bujar dhe më afër nevojtarëve.

Vëllezër e motra!

Zoti ynë, për hatër të Ramazanit, ruaji xhamitë tona, besimtarët e besimtaret, muslimanët mbarë, si dhe të gjithë njerëzit e botës. Me mëshirën e Ramazanit dritësona mendjet tona, me magfiretin e tij lehtësona shpirtrat tanë, si dhe me faljen e madhe të tij, çlirona nga çdo siklet i kësaj bote dhe botës tjetër! Amin!

Për hajr muaji i bekuar i Ramazanit, muaji i pranverës sonë shpirtërore. Paçim ditë dhe netë të begata ramazani!

Hfz. Mehas Alija
Kryetari i KMSHZ-së

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP