Most read

Zoti nuk është në konflikt me njerëzit dhe Covid 19 si sfidë për mendjen njerëzore

Imam Nehat Ismaili

Përballja me virusin e tmerrshëm COVID 19 nuk duhet të jetë as në bazë të faktit se ai është ushtar i Zotit dhe as mbi bazën se ai është armik. Zoti nuk është në konflikt me njerëzit. Përballimi duhet të bëhet në bazë të faktit se virusi është sfidë për mendjen e njeriut dhe kjo me diturinë dhe lejen e Zotit. Të gjithë njerëzit duhet të bashkëpunojnë për të zgjidhur misterin e tij në të njëjtën mynërë siç janë trajtuar edhe shumë sfida të tjera, përfshirë viruse të mëhershme, tërmete, dhe fatkeqësi natyrore. Fare nuk dyshojmë që ndihma e Zotit do të jetë në drejtim të udhëzimit të njerëzimit për të gjetur ilaçin dhe vaksinën adekuate dhe sigurisht që në prizmin e besimit islam duhet të nxjerrim shumë mësazhe, porosi dhe urtësi. Sigurisht që koronavirusi do të jetë një piknisje e një epoke të re (para dhe pas coronavirusit).  Çdo gjë në botë do të ndryshojë dhe nuk do të jetë më asgjë njësoj. Zoti nuk është në konflikt me njerëzit, sepse mëshira e Tij ka tejkaluar hidhërimin e Tij.

Nga ajo që shohim dhe lexojmë në rrjetet sociale dhe pse jo në formë të këshillave fetare nga disa vëllezër në disa raste me idetë dhe mendimin e tyre zbresin shumë poshtë në vend që të predikojnë dhe reflektojnë pozitivisht duke nxjerrë në pah mënyrat për t’u kthyer te Zoti dhe t’i udhëzojnë njerëzit në rekomandimet mjekësore si të mbrohen nga përhapja e COVID 19 duke u mbështetur në lehtësimet ligjore të jurisprudensës islame ( ar.rukhas sher’ijeh).

Si duket në mënyrë të pavetëdishme fokusohemi në gjëra irelevante dhe nuk përqëndrohemi te çështjet thelbësore që të nxjerrim mësim nga kjo situatë e krijuar dhe brengë për mbarë njerëzimin. Për fat të keq, disa prej nesh veprojnë tamam siç vepruan Beni Israilët ( në periudhën e Musait, paqa e Zotit qoftë mbi të) kur Zoti i urdhëroi ata të therrin një lopë në mënyrë që të zbulonin një krim që kishte ndodhur atë botë (nje individ i cili ishte vrarë në rrethana dhe motive të panjohura) dhe kjo ishte çështja qendrore. Në vend që Beni Israilët të nxirrnin mësime nga tmerri i krimit që kishte ndodhur, disa prej tyre insistonin në fshehjen e fakteve deri në ndërhyrjen e Zotit të Botëve, përmes Musait a.s. për të zbuluar të vërtetën. Beni Israilët këtë situatë e shndërruan në një debat shterp me elemente cinizmi, abuzimi dhe arrogance duke parashtuar dhe hamendësuar rreth karakteristikave dhe tipareve të lopës e cila duhet të therrej.

Në vazhdën e kësaj profeti i Zotit, Muhammedi, paqa qoftë mbi të, i tërhoqi vëmendjen besimtarëve muslimanë që të mos lëshohen në polemika të gabuara pa kompetenca profesionale me pyetje të shumta për qëllime abuzuese dhe në formë pezhurative sepse kjo mënyrë është rreptësisht e ndaluar sipas islamit, ngase është humbje kohe dhe e energjisë në vend të përqëndimit në çështjet primare dhe aktuale.

Ebu Hurejra, r.a. përcjell nga Profeti i Zotit të ketë thënë: „Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni të largoheni prej tyre, ndërsa për ato që ua kam urdhëruar mundohuni t’i praktikoni sa të mundeni. Arsyeja që i shkatërroi popujt që jetuan para jush ishin pyetjet e shumta dhe kundërvëniet ndaj pejgamberëve.” (Buhariu dhe Muslimi).

Ajo që duhet të na brengos më tepër është fakti se si të dalim nga kjo situate, si të përgatitemi psiqikisht për tejkalimin e karantinimit në shtëpi në mënyrë që të mos kemi pasoja në të ardhmen, si dhe të nxjerrim mësime dhe urtësi nga COVID 19  si në planin individual, në rrafshin familjar dhe shoqëror.

Në anën tjetër në tërë këtë tollovi disa «ekspert për gjithëçka» në media mundohen paraqesin një pamje inferiore të Lindjes në përgjigjësi, pse jo edhe të gjitha vendet aziatike dhe në favor paraqitjes superiore të disa shteteve perëndimore në përgjithësi, padyshim që kjo është e papranueshme dhe është një qasje raciste.

Po ashtu, ka grupe njerëzish që në mënyrë të sinkronizuar punojnë për të trembur njerëzit për arsye politike ose manipulimit të ndjenjave të njerëzve për të heshur ndaj proceseve të mëdha politike.

Një grup tjetër i njerëzve që kërkojnë famë dhe reputacion duke e bërë lëmsh në mënyrë të pavetëdijshme me shpërndarjen e videoklipeve në formë të udhëzimeve dhe këshillave fetare, duke e ngatrruar të vërtetën e metodologjisë shkencore dhe teologjike me të kotën.

Dhe një tjetër grup shumë më i rrezikshëm që investojnë në situata të krizave për njerëzimin për të sulmuar fetë në përgjithësi me qëllim që të vënë në dyshim, ngatërrojnë ose shtrembërojnë besimet. Mund të themi me shumë përgjegjësi se të gjitha autoritetet fetare kanë treguar pjekuri dhe përgjegjësi ndaj situatës së krijuar duke e konsideruar COVID 19 si brengë për mbarë njerëzimin dhe sfidë për mendjen njerëzore duke e vënduar si prioritet ruajtjen e jetës së njeriut si vlerë më sumblime e Zotit.

Detyra jonë në përgjithësi është të ndalojmë transferimin dhe postimin e gjithçkaje që na vjen, përveç nëse burimi është zyrtar dhe nëse nuk e dini këtë, atëherë mos e postoni, mos e shpërndani postimin në mënyrë që të largoheni nga përgjegjësia morale para vetes dhe para njerëzve dhe më e rëndësishmja  me Zotin!

Ne mbahemi përgjegjës për çdo fjalë që themi dhe për çdo veprim tjetër e sidomos nëse ajo që themi u shkakton dëm njerëzve dhe i shpërqëndojmë nga çështjet primare dhe thelbësore.

“Çdo njeri është peng (përgjegjës) për veprat e veta.” ( El Muddethir,37).

Në këto momente i lutemi Zotit të Madhërishëm, sinqerisht me bindje dhe përkushtim për stafin mjekësor, për inferimierët dhe për të gjithë protagonistët që janë në frontin e parë të betejës, që rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët.

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP