Most read

Xhamia shqiptare e Regensdorfit shënoi 20 vjetorin e themelimit

Në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut vendor dhe mysafirëve, xhamia shqiptare në qytezën e Regensdorfit në Cyrih, gjatë vikendit që lamë pas ka shënuar 20 vjetorin e veprimtarisë së saj. Organizatorët e këtij manifestimi ishin kujdesur që ky manifestim të kalonte në një atmosferë festive me vjersha, ilahi e valle, të cilën e përcollën nga afër dhe përfaqësues të Institucioneve të shumta fetare dhe shtetërore nga Zvicra dhe jashtë saj.

Imami i xhamisë së Regensdorfit Ferid Ef. Zeqiri, iu uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve, duke veçuar në kërë rast, përfaqësuesit vendorë të shtetit zviceran, krerët dhe përfaqësuesit fetarë nga vendlindja dhe Zvicra.

Në fillim të manifestimit, Imami i xhamisë foli rreth ecurisë së kësaj qendre ndër vite, duke potencuar në këtë  rast, nevojën e madhe që banorët shqiptarë, kishin për një qendër Islame shqiptare si kjo. Ai theksoi se në qytezën industriale jetojnë mbi 300 familje shqiptare, të cilat janë pjesë integruese të xhamisë së Regensdorfit.

Imami Zeqiri, potencoi nevojën e kultivimit  dhe ruajtjes së identitetit fetar dhe kombëtar, të shqiptarëve që jetojnë në këtë vend, duke shtuar më pas se ai si Imam dhe qendra ku ai vepron, janë të përkushtuar për të përcjellë tek njerëzit një Islam mesatar, të ekuilibruar, larg çdo lloj rryme ekstreme.

Publiku i pranishëm pati rastin të njihet rreth rrugës që kishte ecur ky komunitet për vite të tëra, përmes një dokumentari të realizuar enkas me rastin e 20 vjetorit të xhamisë.

Ajrina Zymberi, përgjegjëse për sektorin e gruas që vepron në kuadër të xhamisë, duke folur rreth rëndësisë së pjesëmarrjes së gruas shqiptare në shoqërinë ku jeton, mes tjerash, tha „Gruaja shqiptare luan një rol të veçantë në shoqëri dhe pa pjesëmarrjen e saj aktive, vet shoqëria do të ishte e mangët“.

Në vazhdim ajo foli rreth aktiviteteve të shumta që ky sektor ka ndërmarë në vite, duke nënvizuar dhe nevojën për të vazhduar me punë dhe aktivitete edhe në të arrdhmen.

Bruno Weder, përfaqësuesi komunal, në fjalën e tij përshëndetëse uroi nikoqirët me rastin e 20 vjetorit të themelimit të xhamisë, duke theksuar në këtë rast, nevojën për integrimin e myslimanëve në komunën multietnike në të cilën bashkë me zviceranët jetojnë, jo më pak se 104 nacionalitete. Po tjerash këshilltari Weder theksoi se „në një komunë me 104 nacionalitete është më se e rëndësishme që edhe myslimanët të integrohen në këtë vend, larg çdo lloj ekstremizmi. Dialogu dhe mbështetja në këtë rrugë është më se e rëndësishme për ne dhe Zvicrën“, the Weder.

Mehas Alija, kryetar i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, i njoftoi të pranishmit rreth ecurive të Unionit (UBISHZ-së), duke shtuar më pas se institucioni që ai udhëheqë i sheh xhamitë si ura bashkëpunimi, të cilat kontribuojnë në rrugën e integrimit dhe dialogut. Lidhur me këtë Alija tha „Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, i sheh xhamitë si ura lidhëse mes kulturave në vend dhe si kupola për ruajtjen dhe kultivimin e traditave tona“. Alija nënvizoi gjithashtu nevojën e bashkëpunimit të xhamive shqiptare, me institucionet vendore dhe ato shtetërore.

Mr. Ferid Piku, përfaqësues fetar nga Shqipëria në rolin e ligjëruesit, u kujtoi të pranishmëve për privilegjet që u ofron shteti zvicerian, por njëkohësisht ai theksoi dhe përgjegjësitë të cilat rrjedhin si rezultat i privilegjeve që ata gëzojnë.

„Bëhuni nga ata që këtij vendi ti jepni gjithçka dhe jo vetëm të përfitoni prej tij, sepse në këtë mënyrë ndërtohet besimi në shoqëri“ – tha ndër tjerash profesori Ferid Piku.

Në këtë takim nuk munguan dhe përfaqësuesit nga Bashkësia Islame e Kosovës. Ekrem Simnica, kordinatori për diasporë gjatë fjalimit të tij falënderoi përfaqësuesit komunal për prezencën e tyre, duke falënderuar përmes tyre, të gjitha organet e shtetin zviceran që shqiptarëve të cilët jetojnë këtu, ju ofrojnë mundësi dhe kushte për të praktikuar fenë islame. “Kushte të cilat në raste, nuk i kemi edhe në vendet tona,“ nënvizoi Kordinatori nga Kosova, Ekrem Simnica.

Në fund të programit, para publikut u paraqit dhe Sulejman ef. Rexhepi, kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë. Pasi përshëndeti të pranishmit, kryetari Rexhepi u përqëndrua në gatishmërinë e shqiptarëve musliman për të luftuar çdo lloj forme ekstreme që mund të paraqitet në mesin e tyre.

„I ftoj vëllezërit e mi shqiptarë që të vijojnë edhe më tej, që me kulturën shqiptare, fenë, respektin dhe me të gjitha vlerat e mrekullueshme kulturore e civilzuese të lënë përshtypje pozitive tek banorët vendas, si dhe tek autoritetet e shteteve perëndimore „- tha Rexhepi.

„Sot kur e tërë bota është ngritur në këmbë për t`i dhënë përkrahje dialogut, dua tju dërgoj një selam gjith atyre që nuk i takojn fesë sonë, se Islami dënon dhunën, dhe lufton ektremizmin. Islami është fe e paqes, tolerancës, mirëkuptimit, respektit të ndërsjelltë. Këtë fakt në mënyrë të përkryer e dëshmojnë shqiptarët myslimanë. Shqiptarët myslimanë në asnjë mënyrë nuk i lënë vend radikalizmit, ekstremizmave të ndryshëm apo terrorizmit“  – theksoi mes tjerash kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Ef. Rexhepi.

Fjalë rasti patën dhe përfaqësuesit fetarë nga Presheva, Gjermania si dhe përfaqësuesit e organizatave të ndryshme që ishin ftuar me rastin e shënimit të 20 vjetorit të xhamisë së Regensdorfit.

Programi organizativ u përmbyll me një valle kombëtare që kishin paraparë nikoqirët e xhamisë së Regensdorfit.

 

(Albinfo.ch)

 

Comments

be the first to comment on this article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Go to TOP