Most read

„Roli i imamit është kryesisht parandalues“

Bisedë me imamin nga Kreuzlingeni, Rejhan Neziri

Kur flitet për radikalizimin, si zakonisht përmendet edhe roli i imamëve. Sipas mendimit Tuaj, çfarë roli mund të luanin imamët në parandalimin e proceseve të radikalizimit?

Roli i imamit në këtë kontekst është kryesisht parandalues. Veprimtaria e tij në xhami, ndër të tjerat me gjeneratat më të reja, është e fokusuar në atë që të rinjve t’ua mundësojë njohjen dhe të kuptuarit e fesë së tyre nga perspektiva të ndryshme, që ata të bashkëveprojnë në organizimin e aktiviteteve të xhamisë, mirëpo edhe që të marrin përsipër funksione të rëndësishme në administrimin e xhamisë. Aktivitetet me të rinjtë mbulojnë një gamë të gjerë që nga sporti, kultura e deri te aktivitetet fetare, si lutjet (faljet) e përbashkëta në xhami ose ndjekja e mësimit fetar. Me këtë mëtohet që ata në kohën e tyre të lirë të angazhohen me aktivitete të arsyeshme e të drejta, të inkorporohen në një komunitet fetar dhe të këmbejnë mendime e përvoja me bashkëmoshatarët e tyre.

Si qëndroni Ju në praktikën Tuaj si imam me faktin se disa të rinj ndjehen të joshur nga një interpretim i Islamit që promovon dhunë?

Të rinjtë mund të rrezikohen në mënyrë të veçantë përgjatë një faze të vështirë të jetës së tyre dhe të ndjehen të joshur nga radikalizmi fetar. Ne si imamë mundohemi të zhvillojmë një kundër-narracion ose një narracion alternativ, i cili do ta parandalonte një interpretim të gabuar të Islamit, duke e theksuar në takimet tona me të rinjtë, në ligjëratat dhe në mësimin fetar, mësimin jetë-afirmativ dhe paqe-ndërtues të Islamit dhe duke u pozicionuar qartë kundër ideologjive ekstremiste. Me narracionin alternativ mendoj në prezantimin e personaliteteve pozitive dhe të suksesshme muslimane, siç janë sportistët, këngëtarët, reperët dhe shkrimtarët nga Zvicra, Gjermania, Austria dhe nga vende të tjera. Për më tepër, nuk duhet të harrojmë se prirja për t’u joshur nga ideologjitë ekstremiste nuk realizohet, dhe po ashtu edhe nuk mund të pengohet, vetëm në nivel të diskutimit fetar. Me këtë rast ne e dimë se faktorët psiko-socialë e ndihmojnë dhe e favorizojnë prirjen për radikalizim, andaj edhe ky aspekt nuk duhet lënë jashtë kujdesit.

A e trajtoni Ju radikalizmin në mësimet apo në predikimet Tuaja? Nëse po, në çfarë forme?

Natyrisht. Të mos flasësh për këto tema do të thotë të jetosh në një botë tjetër. Ne jemi prononcuar qartë dhe me vendosmëri kundër çdo forme të radikalizmit dhe të ekstremizmit dhe i kemi dënuar në mënyrën më të ashpër të gjitha krimet që janë kryer në emër të Islamit. Ne disa herë në predikimet tona e kemi përmendur dhe e kemi cituar letrën e hapur të mbi 120 dijetarëve muslimanë drejtuar el-Bagdadit (“halifit” të IS-it). Në këtë letër gjykohen krimet e IS-it dhe demantohet supozimi i tyre, kinse po veprojnë në emër të Islamit. Kështu për shembull Islami e ndalon lëshimin e vendimeve juridike islame (fetvave) pa pasur arsimimin dhe kualifikimin e nevojshëm për këtë. Në mësimin fetar islam në shkollat e Kreuzlingenit tema për “dhunën” trajtohet në mënyrë preventive. Si shembull mund të përmendi njësinë mësimore “Me njëri-tjetrin … për njëri-tjetrin”, në të cilën ndër të tjera e theksojmë faktin se të gjitha fetë tërheqin vërejtjen ndaj dhunës dhe luftës dhe e artikulojnë detyrën e ndërtimit të paqes. Në këtë njësi mësimore nxënësit/et njoftohen me idenë bazë, me paraqitjen dhe synimet e “Parlamentit të feve botërore” si dhe me deklaratën e tij. Përveç kësaj, në vitin 2017 me Unionin e Imamëve Shqiptarë në Zvicër kemi mbajtur dy workshope me titull “Jo ekstremizmit dhe fanatizmit të dëmshëm fetar në emër të Islamit”, destinuar të rinjve muslimanë – njërin në Aarburg me 56 pjesëmarrës dhe tjetrin në Cyrih me 50 pjesëmarrës. Qëllimi i këtyre workshopeve ishte sensibilizimi i të rinjve ndaj rrezikut të radikalizimit, informimi i tyre rreth pozitës së Islamit ndaj ekstremizmit dhe vetëdijesimi i tyre në raport me arsyet dhe me proceset e paraqitjes së radikalizimit. Reagimet e të rinjve pjesëmarrës në këto takime ishin shumë pozitive. Ata i vlerësuan këto workshope si shumë të dobishme dhe shprehën dëshirë që tema të këtilla aktuale të trajtohen më shpesh dhe në forma të ndryshme.

Aktivitetet e disa xhamive vazhdimisht vihen në kontekst me radikalizimin e të rinjve dhe përbëjnë titujt sensacionalë të gazetave. Çfarë do t’i kishit këshilluar autoritetet zvicerane në drejtim të përmirësimit të bashkëpunimit me shoqatat islame kur është në pyetje radikalizimi?

Për fat të keq, disa xhami dhe imamë përsëri e përsëri përbëjnë titujt sensacionalë si “inkubatorë” të radikalizimit. Këto xhami nuk kanë pasur imamë të punësuar me vendim të përhershëm, po edhe nëse kanë pasur, atëherë kanë angazhuar imamë jo të shkolluar e të arsimuar mirë. Rreziku që mund të vijë nga këta imamë “shtegtarë” nuk u vërejt me kohë nga kryesitë e këtyre xhamive. Edhe autoritetet zvicerane me sa duket si me ngurrim kanë marrë kontakt me përgjegjësit e xhamive dhe të organizatave kulmore islame. Me rëndësi është që xhamitë dhe autoritetet të mësohen t’i vlerësojnë drejtë këto rreziqe dhe të bashkëpunojnë ngushtë autoritetet zvicerane me organizatat islame të nivelit nacional, kantonal dhe komunal, në mënyrë që të mund të veprojnë bashkë në aspektin preventiv. Praktika e zakonshme zvicerane e zgjidhjes së përbashkët dhe pragmatike të problemeve në vendin e ngjarjes konsideroj se është rruga më e mirë për të qenë të suksesshëm në fushën e parandalimit.

Burimi: Schweizerisches Zentrum für Islam und Gesellschaft (SZIG)’s Paper, 2018.

Nga gjermanishtja: R. Neziri

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP