Most read

Rezonanca e Islamit dhe rilindja e ditëve të “pushtimit” kulturor

Dr.Bashkim Aliu

Në debatin e tij për superioritetin e demokracisë liberale, Francis Fukujama shprehet se “ka argumentuar se demokracia liberale mund të përbëjë “pikën e fundit të evoluimit ideologjik të njerëzimit” dhe “formën përfundimtare të qeverisjes njerëzore”…dhe se viteve të fundit, në botë është shfaqur një konsensus i jashtëzakonshëm lidhur me ligjshmërinë e demokracisë liberale si sistem qeverisës”. Po ashtu, Fukujama shprehet se “Islami përbën një ideologji sistematike dhe koherente…, megjithatë, ditët e pushtimeve kulturore të Islamit kanë mbaruar…, dhe se nuk ka rezonancë për të rinjtë në Berlin, Tokio apo Moskë”.

Debati për fundin e historisë, sipas masave vlerësuese të Fukujamës, çon në polarizime mendimesh dhe shkakton ndasi të thella dhe vlerësime skajshmërisht kontradiktore përkitazi me nji varg çështjes të materjes politike dhe shoqërore, dhe domosdo në stërzgjatjen e polemikave nëse vlerësimet e këtilla janë përjashtuese për të arriturat njerëzore, apo se Fukujama, mund ta ketë me të drejtë për atë që është njerëzore, edhe pse jo plotësisht saktë, por jo edhe për atë që është mbi njerëzore.

Sidoqoftë, debati nuk përkufizohet në dimensionin e përmendur të konstatimeve të Fukujamës, por në prodhimin faktik të protagonistëve të demokracisë liberale dhe efekteve negative në shoqërinë njerëzore të politikave të vendeve të cilat identifikohen jo vetëm si liberal demokrate, por edhe si mbrojtëse dhe promovuese të vlerave liberal demokrate në botë.

Për më tepër, strategjitë e veprimit dhe veprimet e vendeve liberal demokrate, në arenën gjeopolitike botërore, cenojnë rëndë vlerat liberal demokrate dhe e venë në pikëpyetje vetë liberal demokracinë, dhe për rrjedhojë, e kontestojnë fuqishëm dhe bindshëm atë që u quajt formë përfundimtare e qeverisjes njerëzore dhe pikë e fundit e evoluimit ideologjik njerëzor. Në fakt, strategjitë e veprimit dhe politikat e këtyre protagonistëve, më së tepërmi aludojnë dhe u përgjasojnë neokolonialistëve të ambalazhuar me etiketa liberale dhe demokrate, se sa mbrojtësve të vërtetë të vlerave liberal demokrate, për çka nuk arritën që mos mund ta bindin jo vetëm lindjen, për mbrojtjen e liberal demokracisë, por as edhe opinionin brenda vendeve të veta, ku u zhvillua ky koncept.

Rasti i 11-Shtatorit dhe pikëpyetjet e shumta që lindën në kampin perëndimor, para atij lindor, pastaj intervenimi ushtarak në Irak pa argumente bindëse dhe të shëndosha, i vijuar me politika katastrofike në fushën e sigurisë dhe atë politike pas pushtimit të Irakut, që për rrjedhojë shkaktuan një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e Irakut, mashtrimet dhe gënjeshtrat e Toni Blerit dhe tjerëve ndaj elektoratit të vet për rrezikun e armëve të Irakut, lidhjet e dyshimta të eksponentëve kryesorë perendimorë me diktatorët në botën arabe, mbështetja e regjimeve totalitare arabe nga ana e perëndimit, gjë që nuk është përputhur në asnjë detaj me liberal demokracinë, qëndrimi ndaj Sirisë dhe politika e zhagitjes së qëllimshme, duke i lënë hapësirë diktatorit Asad që në bashkëpunim me Rusinë dhe palë tjera, të vazhdojë në shfarosjen e sunitëve, kriza e të ikurve nga vatrat e luftërave dhe trajtimi i tyre me arrogancë nga ana e organeve kufitare të vendeve evropiane, telat me thumba dhe muret ndaluese nëpër kufij, e demantojnë tezën për superioritetin e liberal demokracisë dhe e legjitimojnë çdo ditë e më tepër thirrjen për një sistem të drejtë, një rilindje të vërtetë kulturore, edhe nëse quhet nga të tjerët si pushtim, që do t’i evitonte këto diskrapanca dhe çarje serioze prezente në të gjitha fushat. Kjo dhe çdo ditë e më tepër shihet një qasje pozitive e banorëve perendimorë ndaj Islamit dhe çështjeve që lidhen me muslimanët.

Qëndrimi i vakët, jo dinjitoz për synimet e demokracisë liberale, bile i ndjekur me pikëpyetje të shumta dhe dyshime për motivet, planet dhe qëllimet e shteteve perëndimore, në rastin e grushtetit në Egjipt, pastaj pranimi i ushtarakut, i cili i priu grushtshtetit kundër presidentit të zgjedhur me vota të lira dhe në një proces zgjedhor transparent konform standardeve ndërkombëtare, që është parim bazë i demokracisë, në Gjermani dhe në vendet tjera, si përfaqësues legjitim i popullit, i le në hije pretendimet e teoricientëve të demokracisë liberale për  ndarjen e saj nga sistemet tjera dhe paaftësinë e sistemeve tjera për ta sfiduar atë, apo sipas vokabullarit të Fukujamës, mos pasjen e rezonancës nga këto sisteme, për të reflektuar në Europë dhe gjetiu, dhe në veçanti të sistemit Islam, dhe mbarimin e ditëve të pushtimeve kulturore të Islamit. Por, në fakt, sipas këtij zhargoni, veprimet e këtilla të protagonistëve të demokracisë liberale, janë indikator serioz se këto ditë, pra çdo herë sipas vokabullarit të teoricentëve të kallur të demokracisë liberale, janë duke aguar përsëri, dhe qëndrimet që tejkalojnë demokracinë dhe liberalizmin, në praktikën e shteteve liberal demokratike, fakton jetën e gjatë të këtyre ditëve dhe afinitetin e tyre për  rigjallërim. Në këtë linjë duhet shikuar edhe zgjedhjet në Turqi dhe mosdisponimin perëndimor për fitoren e jo laikëve strukturor të parë në dioptri të ndryshme si “Islam politik”. Cilësimet nga megafonët e qarqeve perëndimore liberal demokrate, për partinë dhe liderët, të cilët sipas standardeve të vetë demokracisë perëndimore, fituan bindshëm dhe gëzojnë përkrahjen më të madhe në historinë e Turqisë  postosmane, si autoritarë e totalitarë, diktatorë e sulltana, etj., janë tregues të pakontestueshëm për frikën e demokratëve liberalë perëndimor nga konkurrenca e faktorizimit të opcionit të zgjidhjes islame, që nga tjerët shënohet si islam politik, përmes rregullave dhe sistemit të promovuar nga vetë ata si kulm i të arriturave politike të njeriut, gjegjësisht kutive të votimit dhe pjesmarrjes së popullit në politikbërje përmes votës. Pikërisht, loja e liberal demokratëve në rastin e Egjiptit të Mursit dhe fitores së AKP-së, ravijëzon thelbin e orientimeve përgjatë vijës së konkurrencës së sistemeve dhe ideve, dhe konceptit të sfidimit ideologjik dhe sistemor, në një botë të globalizuar. Së këtejmi, do të ishte e arsyeshme pyetja: a mbaruan ditët e asaj që Fukujama e quan “pushtim kulturor të Islamit”, apo, në fakt, mbaruan ditët e pushtimit të idesë për superioritetin e demokracisë liberale dhe imunitetin e saj nga sfidat e sistemeve tjera.

Edhe pse Fukujama pretendon se “Islami nuk ka rezonancë për të rinjtë në Berlin, Tokio apo Moskë”, zhvillimet në arenën botërore në kohën e revolucionit mediatik, e shprehin në forma të ndryshme të kundërtën e asaj që po mundohet ta vërtetojë si tezë Fukujama. Vërsulja e egër kundër popullit të Sirisë nga ana e Rusisë, dhe më parë, vërsulja e forcave perëndimore kundër Irakut dhe Sirisë, dhe qëndrimi i tyre non sens, karshi krizës së të gjitha përmasave në Siri, gjë që bëri bashkë Moskën, Washingtonin dhe Brukselin, apo Berlinin, nga një kënd, por nga më shumë perspektiva, bën që të rinjtë në Berlin, Moskë e Tokio, ta kuptojnë rezonancën e Islamit, e cila asnjiherë nuk është humbur, por ose nuk është parë për shkak të pluhurit që ngritën vrapimet e kuajve liberal demokratë në gara në shkretëtirë, ose për shkak të shtrembërimeve të koncepteve, për çka ishin të trajnuar argatë të zhvillimit të teorive dhe tezave.

Turbulencat e shumta që e trondisin botën, janë jehona më e madhe për ringjalljen e ditëve të ndritshme të shpëtimit e jo pushtimit kulturor islam, edhe atë, jehonë kjo që dëgjohet më tepër pikërisht nga të rintjë e Berlinit, Brukselit, Parisit, Washingtonit, etj.

Comments

be the first to comment on this article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Go to TOP