Most read

Përkujtimi i ditëlindjes së profetit Muhammed midis satirizuesve dhe mohuesve të sunnetit të tij

Hoxhë Nehat Ismaili

Në përvjetorin e ditëlindjes së Muhammedit, paqa e Zotit qoftë mbi të, si çdo herë lindin dabate mes lejueshmërise apo jolejueshmërisë së përkujtimit të ditëlindjes së profetit të Zotit, paqa qoftë mbi të. Por kësaj rradhe më ndryshe, sigurisht të ndikuar nga rasti i fundit me satirizimin e figurës së profetit, që bashkoi ummetin  musliman por jo edhe liderët e shteteve të botës muslimane. Sidoqoftë kjo është një çështje e diskutueshme dhe janë qëndrime të ndryshme, kush dëshiron të festojë le të festojë, kush dëshiron të mos i kushtojë vëmendje kësaj ndodhie madhështore le të mos i kushtoj.

Unë personalisht e konsideroj shënimin dhe përkujtimin e ditëlindjes së tij në këto ditë si një domosdoshmëri dhe si një përgjigje globale mediatike islame ndaj fushatës së fyerjeve të orkestuara ndaj profetit të Zotit.

Çështja më e rëndësishme për mua dhe gjëja më e rëndësishme për të gjithë ne duhet të jetë respektimi dhe aprovimi i Sunnetit të tij, sidomos në saje të fushatave të orkestruara për të hudhur dilema ndaj Sunnetit, apo mohimit të pjesërishëm ose tërësishëm të tij nga disa që e quajnë veten «Kuranistë» ose „iluministë“ ose edhe grupeve tjera.

Mohimi ose vënia në dyshim e Sunnetit është rrënim dhe shkatrrim i të gjithë Islamit. Qartë duhet të dimë se pa Sunnet nuk ka Islam.

Ata që e mohojnë Sunnetin na paraprijnë që të mos themi atyre se Sunneti praktik që shpjegon adhurime të tilla si namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi është një Sunnet i pranueshëm për të gjithë. Dhe këtë e thonë për të hequr këtë argument nga të gjithë  që i përmbahen Sunnetit.

Por janë edhe shumë gjëra tjera të cilat nuk i kanë para sysh ose tregohen neglizhet ndaj tyre të cilat do t’i përmend në vijim në mënyrë të shkurtër :

  • Shpjegimi i asaj që përmendet në Kur’anin fisnik. Në Kur’anin fisnik përmenden edhe dispozitat e luftës në mënyrë të përgjithshme, aty kemi një ligjërim të përgjithshëm por ishte Sunneti i Profetit që ndaloi vrasjen e grave, fëmijëve, pleqve, murgjve, prerjen e pemëve etj.
  • Nëse nuk e dimë biografinë e Profetit, paqja e Zotit qoftë mbi të, para dhe pas shpalljes, nuk mund të kuptojmë shumë prej ajeteve dhe arsyet e shpalljes së tyre përkundrazi më shumë se gjysma e ajeteve Kur’anit do të jenë pothuajse të paqarta.
  • Direktivat shoqërore, etiko-morale dhe humane që nuk janë përmendur në Kur’anin fisnik, siç janë ; Udhëzimet për të ndjekur funeralet, udhëzimet për të vizituar të sëmurët, udhëzimet për t’iu përgjigjur ftesës në gëzime familjare dhe shoqërore, udhëzimet për të ruajtur lidhjet farefisnore … etj.
  • Detaje të dispozitave të statusit personal, veçanërisht në lidhje me mënyrën e lidhjes së kontratës martesore, mënyrën e një divorci të kthyeshëm dhe të pakthyeshëm, mënyrën e kujdestarisë, mënyrën e ndalimit të martesës shkaku i gjidhënies, ndalimi i kombinimit në martesë të një motre dhe teze apo halle dhe shumë dispozita tjera.
  • Sunneti i Profetit është ai që erdhi me një rregull: «Shmangjuni sanksioneve penale në rast të dyshimeve» dhe po të mos ishte ky rregull, puna do të ishte zgjeruar aq shumë duke fshikulluar shkelësit e kurorës, duke prerë dorën e hajdutit etj.
  • Sunneti i Profetit është ai që vendosi rregullat e shtetësisë dhe rregullat e bashkëjetesës në hijen e shtetit të Islamit sidomos dokumenti i parë kushtetues që rregullonte marrëdhëniet midis muslimanëve dhe njerëzve të librit (ar.ehlu-l-kitab) në Medine.
  • Sunneti i Profetit është ai që përcaktoi rregullat për t’u marrë me shitjen dhe blerjen, dhe ndaloi lloje të ndryshme të shitjeve, të tilla si Bej’ul garar e cila është çdo shitblerje që përmban paqartësi, mosnjohuri të fshehta që nuk i di një palë apo të dyja palët, që përmban rrezikshmëri. Ebu Hurejra ka thënë: “I Dërguari i Allahut ka ndaluar nga shitja me guraleca dhe nga shitja e gararit (mosnjohjes së plotë të mallit).” [Muslimi dhe Autorët e Sunenit). Shitja me guraleca është një lloj tregtie e cila praktikohej në kohën e injorancës dhe kryhej duke hedhur disa guraleca mbi mall dhe malli ku binin guralecat bëhej i detyrueshëm të blihej.
  • Neveviu në komentimin e tij të Sahihut të Muslimit, shprehet në këtë mënyrë : Shitja e gararit është një bazë e madhe prej bazave të kapitullit të shitblerjeve dhe për këtë shkak Muslimi e filloi këtë kapitull me të. Në këtë lloj shitblerje hynë shumë çështje të pakufizuara, siç është shitja e të arratisurit, shitja e asaj që nuk ekziston, shitja e asaj që nuk e njeh, asaj që nuk ke mundësi ta dorëzosh te blerësi, asaj që nuk e ke akoma në pronësi, shitja e peshkut që është në ujin e detit apo lumit, e qumeshtit në gji, e asaj që ndodhet në barkun e kafshës barsë etj.
  • Shitja me të prekur dhe me të hedhur: Transmetohet nga Ebu Hurejra se ka thënë: “Jemi ndaluar prej dy shitblerjeve: shitja me të prekur (el-mulamese) dhe shitja me të hedhur (el-munabedhe): El-mulamese është prekja e çdonjërit prej të dyve rroben (plaçkën) e tjetrit pa dashje, kurse el-munabedhe është hedhja e çdonjërit prej atyre dyve rroben e tij tek tjetri pa parë njëri prej tyre rroben e tjetrit.” [Muslimi]. Shitja e diçkaje që nuk e posedon në të vërtetë, shitja e mallit që ke blerë para se ta marrësh në dorë, shitja mbi shitjen e vëllait tënd (tregtarit tjetër), shitja e Ijnes (me hile) si dhe dispozita të shumta mbi transkacionet tregtare.
  • Sunneti i Profetit është ai që përcaktoi rregullat për ruajtjen e mjedisit, rregullat për trajtimin dhe mëshirën ndaj kafshëve dhe rregullat për ushqimin e lejuar dhe të ndaluar.
  • Të tilla si ndalimi i ngrënies së shprezëve me kthetra dhe kafshëve mishngrënëse, ndalimi i ngrënies së shpendëve që ushqehen me papastërti dhe ndalimi i ngrënies së insekteve, zvarranikëve etj.
  • Sunneti i Profetit është ai që na mësoi adhurimin, bindjen, mënyrën e lutjeve, mënyrën e madhërimit të Zotit etj.
  • Dhe së fundmi, Sunneti i Profetit është ai që na njohu me personalitetin e Profetit, me konstruktin e tij të jashtëm, si dukej, si ecte, si lëvizte, na njohu me moralin e tij, prejardhjen e tij, gratë e tij, familjen e tij, shokët e tij dhe nipërit e mbesat e tij

 

Sigurisht që ka edhe shumë çështje tjera për të përmendur por mendoj që kjo që u përmend është e mjaftueshme për të ardhur në një konstatim logjik se me rrënimin e Sunnetit rrënohet edhe Islami, ose me fjalë tjera  « Islami pa Sunnet është si një shtëpi e cila ka themele dhe kulm por pa mure anësore, shtëpi e cila nuk plotëson kushtet dhe papërshtatshme për momentin për të banuar.

Duhet nënvziuar se egziston një dallim midis atyre që mohojnë Sunnetin dhe atyre që kundërshtojnë disa prej haditheve të tij, duke hudhur dilema rreth autenticitetit  të tekstit, dilema rreth transmetuesve, apo se ky hadith është në kundërshim me logjikën e tyre, në një apo formë tjetër. Mohimi i disa haditheve apo diskutimi i besueshmërisë së tyre mund të hapë derën e dialogut rreth tyre.

Duke pasur në mendje se Sunneti i Profetit është një shkencë në vete që mund të flitet dhe diskutohet vetëm nga specialist dhe ekspert të njohur të shkencave përkatëse si : Shkenca e terminologjisë së hadithit (ilm mustalahul hadith) , shkenca e njohjes së tekstit të hadithit dhe gjendjes së transmetuesit (ilm er-rivajeh ue dirajeh) . Me fjalë tjera, shkenctarët hadithit këtë art e ndajnë në dy pjesë, e para :  «Rivajeh» shkenca e hadithit që merret me studimin e tekstit të hadithit, dhe e dyta : «Dirayeh» shkenca e hadithit që studijon gjendjen e transmetuesit të hadithit, sa i përkët kushteve të transmetuesit të hadithit, zinxhirit të transmetuesve të hadithit, pranimi dhe përgjegjësia e transmetuesve të haditheve etj.

Fatkeqësisht shumica e skeptikëve nuk dinë asgjë për këtë shkencë ose fare pak dhe flasin pa kompetenca.

Zvicër, 31.10.2020

 

 

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP