Most read

Mesazhi i kryetarit të UBISHZ-së, me rastin ditës së xhuma pa namaz nëpër xhami të Zvicrës

Mesazhi i kryetarit të Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, hfz. Mehas Alija, me rastin ditës së xhuma, ku xhamitë nuk patën mundësi të jenë në funksion të xhemateve dhe imamëve të tyre:

Të nderuar vëllezër e motra, të shtrenjtët hoxhallarë dhe kryesi të xhemateve tona shqiptare në Zvicër.

Përmes kësaj paraqitjeje dhe mesazhi me rastin e kësaj dite të xhumaje, ditë të cilës aspak nuk i bie vlera, ndonëse pa namaz xhumaje dhe hutbe nga minberet e xhamive, dua t’ju përshëndes dhe t’ju përcjell selamet e kryesisë së Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër.

Unioni ynë ditë më parë, përmes disa udhëzimeve dhe vendimeve që nxorri, nxiti dhe inkurajoi kryesitë, imamët dhe xhematet shqiptare në Zvicër që të respektojnë vendimet dhe udhëzimet e organeve shtetërore të cilat kanë të bëjnë me luftimin dhe frenimin e mëtejmë të përhapjes së virusit korona në këtë vend.

Ju falënderojmë shumë për respektimin dhe mirëkuptimin që keni treguar deri më tani.

Unë e di se zemrat tuaja janë të pikëlluara dhe të mërzituara, sepse nuk jeni mësuar që ditën e xhuma ta kaloni në shtëpi, e në vend të namazi të xhumasë, të falni namazin e drekës. Por, sprovat janë edhe për besimtarët. A nuk thotë Zoti në Kur’an se “A menduan njerëzit të thonë: „Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” (Ankebut, 2).

Vëllezër e motra të nderuara!

Në këtë kohë të sprovës së madhe që ka kapluar botën është momenti më i duhur të tregojmë njërzillëkun tonë. Të tregojmë anën humane dhe fetare tonën, si dhe të shfaqim solidaritetin dhe ndjenën e të qenit unik si bashkësi. Është koha që edhe me disa vepra të vogla të tregojmë se jemi për njëri-tjetrin, se dimë të tregojmë përgjegjëshmëri dhe vetëkontrollë.

Edhe për ne, si UBISHZ, nuk ishte e lehtë të dalim dhe të ftojmë xhematet tona të mos dalin nëpër xhami të falin namazet ditore, sidomos kur bëhet fjalë për namazin e xhumasë, i cili është shumë më shumë se sa një namaz. Por duke e parë seriozitetin e gjendjes, të gjitha vendimet na çuan kah ajo që të ruajmë jetën e njerëzve dhe të shoqërisë.

E tërë kjo nuk duhet të na çojë në një gjendje hutimi, paniku dhe histerie. Është koha të tregojmë se nuk e humbin shpresën dhe presim që e nesërmja të jetë shumë më e mirë se sotmja dhe se e djeshmja.

Po ashtu, shfrytëzoni këto ditë të veçanta dhe ktheni shtëpitë e juaja në shtëpi të Zotit, gjallëroni ato me lutje, biseda të këndshme familjare, lexim dhe këndim të Kur’anit. Sot shtëpitë tona janë xhamitë tona, xhematet tona janë familjet tona. Andaj, ta shfrytëzojmë këtë kohë izolimi dhe ta kthejme në përftim edhe më të madh.

Lutja jonë e përgjithshme është: Vëllezër e motra, mos e humbni shpresën tek Zoti, te Mëshira e Tij e madhe. Të kthehemi kah vetvetja dhe ka Zoti, sepse shpresën e humb vetëm një popull që mohon Zotin dhe të mirat e tij.

Për fund, është bindja jonë se nëse ne do të tregojmë pjekuri dhe përgjegjësi individuale e shoqërore, për vete dhe për botën, Zoti i Madhe nuk do të na harrojë e të na lë në fatin e sprovave të këqija. Ai do të na nxjerr në rrugën plotë dritë dhe shpresë. E jona është që ta tregojmë përkushtimin tonë dhe t’i marrim të gjitha sebepet e mundshme.

All-llahut i kemi besuar dhe vetëm tek Ai mbështetemi dhe shpresojmë!

Mbetshi shëndosh e mirë, ju që jeni me shëndet të mirë, kurse për të sëmurët, lutemi për shërim sa më të shpejt, ndërsa për të vdekurit, Zoti i lartë qoftë falës dhe mëshirues. All-llahu i ruajt familjet tona, xhematet tona, kryesitë dhe imamët tanë! Allahu e bëftë vendin tonë të sigurt dhe të lehtë për të jetuar!

Vesselamu alejkum ve rahmetullahi ve berakatuhu!

Mehas Alija
Kryetar i UBISHZ-së

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP