Most read

MBAHET KUVENDI I RREGULLT I KMSHZ-SË, ZGJIDHET EDHE KRYESIA E RE

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.

Lusim Allahun e Madhëruar që të gëzoni shëndet e mirësi në familjet e juaja.

Ju informojmë se më datë 03 maj 2026, në ambientet e Xhamisë Tafers në Fribourg, u mbajt Kuvendi i rregullt i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ), në një atmosferë përgjegjësie, bashkëpunimi dhe përkushtimi të ndërsjellë.

Në këtë kuvend të rëndësishëm morën pjesë delegatë nga xhamitë shqiptare në Zvicër, të anëtarësuara pranë KMSHZ-së, duke reflektuar një nivel të lartë përfaqësimi dhe uniteti institucional. Gjatë punimeve të kuvendit, u paraqitën raportet e aktiviteteve të deritanishme, si dhe u diskutuan objektivat për të ardhmen. Ndër të tjera, u zhvillua dhe u përmbyll me sukses procesi i zgjedhjes së organeve drejtuese për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Me këtë rast, ish-kryetari i KMSHZ-së, i nderuari hoxhë Mehas Alija, pas dorëzimit të mandatit të tij gjatë të cilit udhëhoqi KMSHZ-në për tetë vite mbajti një fjalim mbresëlënës, në të cilin shprehu mirënjohje të thellë për anëtarët e kryesisë së mëparshme për angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar ndër vite. Në fjalën e tij përmbyllëse, ai theksoi rëndësinë e vazhdimësisë institucionale, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet strukturave drejtuese, duke i uruar kryesisë së re suksese në ushtrimin e detyrave të saj.

Në vijim, u zgjodh Kryetar i Kuvendit të KMSHZ-së z. Ismail Ademi, njëherit edhe kryetar i xhamisë së Cyrihut, ndërsa zv.kryetar Bilal ef. Tairi, imam në xhaminë e Hörit në Cyrih.

Po ashtu, në një proces transparent dhe demokratik, kuvendarët zgjodhën përbërjen e Kryesisë së KMSHZ-së:

Kryetar: Fehim ef. Abazi

Anëtarë:

– Dr. Besim Nuzi (imam në xhaminë e Langenthalit)

– Dr. Mixhit Osmani (imam në xhaminë e Salmsach)

– Irfan Musliji (imam në xhaminë Uniteti në Au)

– Rijad Aliu (imam në xhaminë “Dituria”, Gjenevë)

– Fesal Fetai (imam në Frauenfeld)

– Lulzim Lecaj (kryetar i xhamisë në Sebach)

– Mensur Nuhiu (kryetar i xhamisë në Flums)

– Xheneta Ramadani (anëtare nga xhamia e Bardhë në Aarburg)

– Safije Odai (anëtare nga xhamia “Dituria” në Gjenevë)

– Halime Limani (anëtare nga xhamia në Altendorf).

Si revizorë për katër vitet e ardhëshme, mbeten edhe më tutje:

H. Femi Bilali dhe H. Idris Ibishi.

Kryetari i porsazgjedhur, në fjalën e tij, falënderoi ish-kryetarin Mehas ef. Alija dhe anëtarët e tjerë të kryesisë, të cilët e udhëhoqën KMSHZ-në në këtë fazë tranzitore, dhe nënvizoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit institucional, si dhe përgjegjësitë për përballimin e sfidave bashkëkohore.

Kryesia e porsazgjedhur, e dalë nga vullneti i lirë i anëtarësisë, do të ushtrojë mandatin e saj me përgjegjësi të lartë institucionale, integritet dhe vizion, në funksion të përfaqësimit të KMSHZ-së brenda dhe jashtë Zvicrës, si dhe të forcimit të mëtejshëm të strukturave dhe veprimtarisë së saj.

Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë delegatët dhe pjesëmarrësit për kontributin, seriozitetin dhe besimin e treguar gjatë këtij procesi të rëndësishëm.

Duke u mbështetur në vlerat tona të përbashkëta dhe me ndihmën e Allahut të Madhëruar, mbetemi të përkushtuar për të vijuar punën në shërbim të komunitetit dhe për të arritur rezultate të qëndrueshme në të ardhmen.

Me konsideratë të lartë,

Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ)

Data: 05 maj 2026

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP