Fjalimi lamtumirës i kryetarit hfz. Mehas Alija në kuvendin e KMSHZ-së 2026
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Falënderimi i takon Allahut të Madhërishëm, i Cili na mundësoi të jemi së bashku në këtë rrugëtim të bukur, në shërbim të fesë, komunitetit dhe vlerave tona kombëtare e civilizuese. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin a.s., udhërrëfyesin e njerëzimit.
Të nderuar delegatë,
të respektuar imamë,
të dashur vëllezër dhe motra,
Ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj sot. Siç thuhet shpesh, miku i vërtetë është ai që gjen kohë të jetë me ty, edhe kur ka shumë arsye të jetë diku tjetër – dhe sot e ndiej këtë miqësi mes nesh.
Faleminderit përzemërisht, ne emër timin dhe të kryesisë së KMSHZ-së. Po ashtu, falënderoj shumë edhe kryesinë e xhamisë këtu në Tafers për mikpritjen dhe mundësinë që ta zhvillojmë këtë kuvend në këtë xhami të bukur dhe të re.
Vëllezër e motra, sot është një moment i veçant për mua dhe për kryesinë e KMSHZ-së, pasi pas katër vitesh në KMSHZ dhe katër të tjera më parë, bashkë me vëllezërit në UBISHZ dhe BISHZ, po përmbyllim këtë amanet, gjegjësisht udhëheqjen tonë institucionale tetë vjeçare.
Kur e mora këtë detyrë, mendoja se do të ishte sfiduese… por nuk e dija që do të ishte edhe “shkollë durimi”, sidomos në disa mbledhje që zgjatnin më shumë se sa ishte planifikuar. Por pikërisht ato momente na kanë mësuar se durimi dhe mirëkuptimi janë çelësi i çdo suksesi.
Të dashur vëllezër dhe motra,
Gjatë këtyre viteve kemi kaluar shumë momente së bashku. Një ndër arritjet më të rëndësishme ishte bashkimi ynë në vitin 2020 në një strukturë të vetme – KMSHZ. Ky ishte një hap që kërkoi guxim, strategji, besim dhe mbi të gjitha sinqeritet. Allahu na e dha si dhuratë dhe si shpërblim edhe për atë që ishte bërë më parë, sidomos nga pararendësit tanë.
Kemi ndërtuar ura bashkëpunimi, kemi forcuar xhematet tona, kemi mbështetur imamët dhe kryetarët e xhamive, si dhe kemi qenë pranë njëri-tjetrit në ditë të mira dhe të vështira.
Profeti Muhamed a.s. na mëson:
“Më i dashuri tek Allahu është ai që u bën më shumë dobi njerëzve.”
Nëse kemi arritur qoftë edhe pak ta jetojmë këtë mesazh, atëherë puna jonë ka pasur vlerë.
Sigurisht, jo çdo gjë ka qenë perfekte. Nganjëherë kemi menduar se kemi zgjidhur një problem… dhe pastaj kemi zbuluar se kemi krijuar dy të reja. Por kjo është pjesë e çdo pune dhe përgjegjësie.
Prandaj them me sinqeritet:
Nëse ka pasur sukses, ai është i juaji.
Nëse ka pasur mangësi, ato janë të miat.
Një thënie e bukur thotë:
“Nuk matet madhështia e një njeriu me pozitën që mban, por me gjurmën që lë pas.”
Unë nuk e di se çfarë gjurme kemi lënë, por e di se çdo hap është bërë me nijetin e mirë dhe me dashuri për këtë komunitet.
Më lejoni t’i përmend vetëm disa arritje që mendoj se janë fakte të pamohueshme:
- Fuzionimi dhe bashkimi i dy organizatave islame shqiptare dhe krijimi i KMSHZ-së
- Unifikimi i xhamive shqiptare brenda ombrelles, ku sot krenohemi me 65 xhami shqiptare brenda KMSHZ-së
- Rritja e buxhetiti të KMSHZ me mbi 300 mijë franga dhe menaxhimi korrekt i shumave të tjera milioneshe në rafshin humanitar, social, administrativ, kulturor dhe fetar.
- Menaxhimi i suksesshëm dhe mbajtja hapur e xhamive tona në kohën e Corona Virusit
- Dhe sot krenohemi me reputacionin dhe respektin që ka KMSHZ, si në Zvicër, ashtu edhe në Europë dhe në vendlindje.
Me fjalë të tjera, KMSHZ, është ixhtihadi më i rëndësishëm që bënë dhe e zhvilluan shqiptarët musliman në Zvicër. Është puna dhe projekti më i mirë dhe më i avancuar pas formimit të xhamive dhe shkollave këtu.
Zvicra u formua si konfideratë, pasi u bashkuan kantonet. Dhe u bë shtet i fortë.
KMSHZ-ja u formua si Organizatë pasi u bashkuan xhamitë. Dhe u bë organizatë e fortë. E, pra, kjo është ajo që na mëson Zvicra: me bashkim dhe unitet tregojmë se jetojmë në Zvicër.
Të dashur vëllezër e motra!
Tashmë shikimi ynë mbetet i kthyer drejt së ardhmes. Apel dhe kërkesë për kryesinë e re: “Duhet të punohet më shumë në forcimin e mëtejshëm të organizimit të brendshëm, të zhvillohen programe të posaçme për të rinjtë, të fuqizohet bashkëpunimi me institucionet kantonale dhe nacionale islame, por edhe me ato zvicerane, të kontribuohet më shumë në dialogun ndërfetar dhe në integrim, si dhe të zhvillohen projekte për të avansuar nivelin e edukimit dhe aftësimit të xhemateve tona, të kryesive dhe imamëve. Ta ruajmë unitetin dhe identitetin tonë. Ne besojmë se vetëm duke qenë të bashkuar dhe të përkushtuar ndaj vlerave tona, do të mund t’ua përcjellim brezave të rinj një trashëgimi të pastër e të qëndrueshme islamo-shqiptare në Zvicër.
Të nderuar kuvendarë!
Të kthehem pak të çështja ime personale. Në këto tetë vite, bashkë me vëllezërit dhe motrat në kryesi, pata nderin ta udhëheq UBISHZ-në dhe të jem bashkëthemelues dhe kryetar i KMSHZ-së. Me çrast, për tetë vite me radhë, pata nderin të udhëheqi njerëz shumë të zotët, të mendjes e të penës.
Në vitin 2017 nuk u bëra kryetar duke e kërkuar postin, por kjo mu imponua si detyrë dhe mu kërkua nga vet ju. E sot, kur kam mundësi ta kërkoj mandatin tjetër, teoretikisht, ndonëse parimisht dhe faktikisht mandati prej 8 vitesh është i përkufizuar, unë kërkoj mirëkuptimin tuaj për të mos vazhduar më tutje dhe të mbetem si shembull për pasardhësit e mi, sepse, sa do që të jemi të mirë, dy mandate janë mjaftë për punë dhe arritje të mëdha.
Dy vite sekretar dhe 8 vite kryetar, për mua dhe për xhaminë time, janë mundësi për të qenë si vlerësim dhe për të hyrë në historinë e organizimit institucional të xhamive tona këtu në Zvicër. Dhe kjo që e thash nuk vlen vetëm për mua, por edhe për vëllezërit dhe motra e mia në kryesi, për dy nënkryetarët Fehim ef. Abazin dhe Dr. Besim Nuzin, për sekretarin H. Ismail Ademin, për arkëtarin bacën Sherif Tupanin, për anëtarët e tjerë të kryesisë Dr. Bashkim Aliun, Nimetulla ef. Veselin dhe dy motrat Safije Odain dhe Xheneta Ramadanin, si dhe për vëllezërit ish-anëtartë të kryesisë Mustafë Veselin, Ibrahim Aliun dhe Sami Avdylin.
Po ashtu, është për t’u vlerësuar kontributi i çmueshëm i kryetarit të Kuvendit, Azir Jusufit dhe Sadat ef. Sulejmanit, si nënkryetar i kuvendit. Mirënjohje të thellë edhe për dy revizorët besnikë, haxhi Idris Ibishin dhe haxhi Femi Bilali.
Me zëmër dua ta zgjeroj falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët e mi, imamët, kryesitë e xhamive, aktivistët dhe çdo anëtar të komunitetit. Pa ju si kuvendarë, asgjë nga kjo që u tha nuk do të ishte e mundur.
Falënderoj gjithashtu autoritetet dhe institucionet zvicerane për bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë, për mundësitë legjislative dhe operative që na i kanë ofruar.
Të dashur vëllezër dhe motra,
Sot, kur po e dorëzoj këtë përgjegjësi, ndiej një përzierje emocionesh. Nga njëra anë lehtësim… dhe nga ana tjetër, një mall që ndoshta do ta kuptoj më shumë pas kësaj dite.
Por jam i qetë, sepse besoj fort se komuniteti ynë është në duar të mira: Me kaq shumë personalitete dhe me kaq shumë xhami brenda nën çatinë tonë të madhe – nën emrin KMSHZ.
Pasardhësit tim i uroj suksese dhe i lutem Allahut ta ndihmojë në këtë amanet. Të marrë të mirën, të përmirësojë atë që duhet dhe të ecë edhe më përpara.
Dhe juve ju lë një porosi të thjeshtë:
Ruajeni unitetin.
Sepse ne nuk jemi të fortë kur jemi të shumtë, por kur jemi të bashkuar.
Siç thotë një fjalë e urtë: “Vetëm ecim më shpejt, por bashkë shkojmë më larg.”
Unë nuk largohem nga ju, por vetëm nga detyra, vetëm nga posti.
Dhe ndoshta tani e tutje do të kem më shumë kohë… të jem në kuvend, midis jush, pa qenë ai që duhet gjithmonë të flasë dhe t’ju lodh me fjalime të gjata.
Në fund, një falënderim i veçantë për familjen time dhe për kryesinë e xhamisë sime. Ata kanë qenë që kanë duruar më shumë se kushdo tjetër në këtë angazhim timin. Dhe ndoshta ata janë më të lumtur se unë që po përfundon mandati.
Dhe mbi të gjitha:
Falënderimi i takon Allahut të Madhërishëm!
Elhamdulilah!
Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!
Hfz. Mehas Alija
03.05.2026, e diel – Tafers Fribourg

Comments