Most read

Bajrami, kremtim i fitoreve

Bashkim Aliu

PËRCJELLJA E RAMAZANIT

Sot është dita e Bajramit, dita  kremtimit të asaj periudhe të bujshme një mujore të Ramazanit me adhurim, veprim konstruktiv, aktivitete produktive, pastrim të shpirtit dhe ngritje në piedestalet më të larta të botës morale dhe shpirtërore.

Pa kufij e falenderojmë Allahun e madhërishëm i Cili na mundësoi që muajin e Ramazanit ta kalojmë me agjërim, adhurim intenziv dhe aktivitet të bujshëm fetar.Krahas pesë kohëve të namazit, e falëm edhe namazin e teravisë, poashtu edhe namaz tjera vullnetare-nafile, e në veçanti në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit e falëm namazin e natës; e kemi shpjeguar Kur’anin ma tepër se çdo herë, i kemi çuar salavate edhe ma tepër të dërguarit të Allahut-Muhamedit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], kemi qenë më të bashkruar se çdo herë, kemi qenë unik në veprimet, mendimet dhe ndjnjat tona.Në të gjitha anët e botës, muslimanët janë ngritur në syfir, kanë bërë iftar, kanë falë teravi, xhamitë kanë qenë përplotë me xhemat, dhe kjo flet për begatinë e unitetit në muajin e bekuar të Ramazanit.

Kështu, pas gjithë këtyre veprimeve dhe aktiviteteve në muajin e bekuar të Ramazanit, vin dita e kurorëzimit të gjithë kësaj veprimtarie me kremtimin e festës së fitër Bajramit duke e madhëruar Allahun dhe falenderuar Atë për të mirat e panumërta që na i fali.

Me rastin e përcjelljes së Ramazanit dhe kremtimit të festës së Bajramit,  muslimani përshkohet përnjëherë nga ndejnjat e gëzimit dhe brengosjes.

Nga njëra anë, brengoset për kalimin e këtij muaji të madhërishëm , muajit të pastrimit shpirtërorë, humanizimit të shpirtit dhe pasurimit të njeriut me vepra të mira, muajit të solidaritetit, humanitetit, begative të shumta dhe sukseseve të shumta të muslimanëve si në të kaluarën, poashtu edhe sot.

Nga ana tjetër, besimtari përshkohet nga ndjenjat e gëzimit me atë që kremton fitoret e veta në këtë muaj të bekuar, mburet me sukseset e veta në mposhtejn e epshit, edukimin e shpirtit dhe pastrimin e zemrës, gëzohet për ndihmën që ia dha Allahu i Madhërishëm që ta kalojë këtë muaj të bekuar me ibadete të shumta dhe në mënyrë të denjë.

BAJRAMI, DITË E SHPËRBLIMEVE

Është e ditur mirë se punëtori kur e kryen punën e vet, e pret edhe pagesën apo kompenzimin për punën e kryer.Allahu xh.sh. nuk e la njeriun duar thatë, por për punën dhe mundin e tij në muasin e Ramazanit, i përgatiti shpërblime të veçanta në ditën e Bajramit dhe këtë ditë e quajti ditë të shpërblimeve për besimtarët e devotshëm të cilët iu përgjigjën thirrjes së Allahut të Madhërishëm dhe iu përmbajtën porosive të Tij dhe të dërguarit të Tij që çdo çast të Ramazanit ta shfrytëzojnë maksimalisht, dhe ja tash, pas gjithë asaj pune të frytshme, pason shpërblimi i Allahut dhe gëzimi i muslimanëve për suksesin e arritur në këtë muaj të bekuar.

Taberaniju transmenton se I dërguari i Allahut ka thënë:”Në Bajramin e Ramazanit melekët rreshtohen rreth rrugës dhe thërrasin:Zgjohuni o musliman, shpejtoni te Zoti juaj fisnik i Cili jep të mira dhe i dyfishon ato:Unë ju kam urdhëruar që netët t’i kaloni në ibadet dhe e kryet atë; u kam urdhëruar që ditën të agjëroni dhe keni agjëruar dhe kështu e keni dëgjuar Zotin tuaj.Për atë, pranoni shpërblimet tuaja.

E kur ta falin namazin e Bajramit, një thirrës thotë:Dëgjoni mirë!Allahu juaj me të vërtetë ua ka falur mëkatet.Tash kthehuni të kënaqur në shtëpitë e juaja!Kjo është ditë shpërblimi, dhe kjo ditë thirret në qiell ditë shpërblimi”.

Bejhekiju transmenton se I dërguari i Allahut ka thënë:”Allahu iu drejtua melekëve me pyetje:Si shpërblehen ata të cilët e kryejnë obligimin e vet?Melekët u përgjigjën:O Krijuesi ynë, ate e pret shpërblimi.

Do t’u thotë Allahu:Më bëheni dëshmitar se Unë do t’i shpërblej për agjërimin dhe namazin me kënaqësi dhe falje.

Pastaj i Lartësuari, duke i shikuar të gjithë falësit në Bajram me një shikim mëshirues dhe mëshirplotë tha:Më luteni Mua, robët e Mi!Pasha Lartëmadhërinë Time, çdo kush që do të më lutet Mua sot për vendin e vet në ahiret, do të ja pranoj, edhe për këtë botë Unë do ta shikoj me kujdes; bëhuni të kënaqur me Mua, edhe Unë do të jem i kënaqur me ju.Shpërndahuni të falur me faljen Time!”.

FILOZOFIA E FESTAVE ISLAME

Çdo popull, etnitet dhe shoqëri i ka festat e veta të cilat i feston dhe me të cilat mburet për ngjarje të rëndësishme në historinë e ekzistimit të vet.

Edhe muslimanët i kanë festat e veta, e ato janë;Festa e fitër Bajramit dhe festa e Kurban Bajramit.

Nesaiju dhe Ibn Hibbani transmentojnë prej Enesit i cili thotë:”Kur u shpërngul Muhamedi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] prej Meke në Medine, banorët e Medines i kishin dy festat e tyre kur argëtoheshin dhe dëfreheshin.Muhamedi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] u tha:Allahu xh.sh. këto dy festa, jua ka zavendësuar me dy ma të mira:Bajramin e ramazanit dhe të kurbanit”.

Urtësia e festave Islame qëndron në atë se ato nuk paraqesin thjesht përkujtim të një date të rëndësishme që ka ndodhur në të kaluarën e popullit përkatës dhe tash më nuk përsëritet me kurgjë tjetër pos se me kremtim dhe përkujtim të saj, por festat në Islam janë reale, gjegjësisht festimi dhe kremtimi është real sepse pason pas punës dhe kontributit që e jep çdo besimtar, e nuk është thjesht përkujtim i një date që ka ndodhur në të kaluarën.

Kështu, në festën e fitër Bajramit, besimtari e feston mundin e vet që e dha në muajin e Ramazanit përmes agjërimit, namazit, ibadeteve tjera, ngadhnjimit mbi epshin dhe egon, humanizimit të shpirtit dhe pastrimit të zemrës.Pra, feston pasi ka arritur rezultate dhe ka shënuar suksese konkrete.

Poashtu, edhe në festën e kurban Bajramit, besimtari feston për therrjen e kurbanit me të cilin gjest solidarizohet me të varfurit, poashtu disa musliman e festojnë edhe kryerjen e kushtit të pestë të Islamit-Haxhit, ndërkaq muslimanët tjeë të cilët nuk e kanë mundësinë e realizimit të ndonjërës prej këtyre veprimeve, u bashkangjiten vëllezërve të vet në gëzim dhe shënimin e fitoreve e sukseseve të rëndësishme.

Shikuar nga një aspekt tjetër, muslimani këtë festë e feston edhe përmes një aktiviteti tjetër të rëndësishëm në veçanti për njeriun bashkëkohor, vizitën e të afërmve dhe vëllezërve të vet.

Me fjalë tjera, në këtë kohë kur bota vuan nga shpërbërja e familjes dhe izolimin e njeriut e shtimin e ndjenjës së egoizmit, në ditën e Bajramit në veçanti preferohet vizita e të afërmve dhe vëllezërve musliman, e me këtë frocohen lidhjet mes muslimanëve, shtohet dashuria mes tyre, zbuten zemrat, vehen tulla të shëndosha në ardhmërinë e umetit dhe luftohet aktivisht dhe energjikisht vetjakësia dhe ndërprerja e lidhjeve farefisnore.

MODEL PËR NDËRTIMIN E LIDERSHIPIT

Një nga çështjet më të rëndësishme dhe të ndieshme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, është ndërtimi i lidershipit i cili do të jetë i aftë dhe i denjë ta udhëheqë popullin drejt progresit dhe zhvillimit si dhe do të jetë i aftë të marrë vendime të përgjegjshme në situata dhe momente vendimtare.

Muaji i Ramazanit dhe festa e bajramit, është një rrugë e qartë se si duhet të formohet lidershipi.

Me fjalë tjera, kjo na mëson se të kremtosh suksese dhe rezultate, duhet të kalitesh dhe të punosh si duhet, të veprosh me konsekuencë në edukimin dhe përgatitjen intelektuale, morale dhe materiale.Festimi i Bajramit, pason pas një muaj punë aktive dhe intenzive, ibadet të shtuar si në sasi poashtu edhe në cilësi, ngritje shpirtërore dhe pastrim të zemrës, humanizim të qenjes njerëzore dhe shtrim të dorës së afrimit.

Që të ndërtojmë lidership të shëndoshë dhe të aftë, duhet të punojmë shumë në edukimin dhe kalitjen e tij me kohë, e jo të na mbijnë si këpurdhat pas shiut, e pastaj të vuaj popullata nga veprimet e tyre kuturu.

PROBLEMI I HUMBJES SË RITMIT

Nuk mund të flitet për muajin e bekuar të Ramazanit dhe festën madhështore të Fitër Bajramit, e të mos ndalemi seriozisht në problemin e humbjes së tempos dhe ritmit të adhurimit.Thënë më qartë, është mangësi e madhe që haset kryesisht në gjithë botën Islame që në muajin e Ramazanit xhamitë të jenë përplotë me xhemat, të ekzistojë një gjallëri e veçantë, të ketë aktivitete të nduarduarta, por me kalimin e Ramazanit, përfundon kjo atmosferë impozante dhe ndalet ky ritëm i adhurimit.Vallë, ku tretën gjithë ata të rij e pleq që i mbushën xhamitë, i dëgjuan derset e Ramazanit dhe u interesuan aq shumë për aktivitetet fetare?!

Besimtari nuk guxon të jetë sezonal, i përkohshëm dhe jo konsekuent në adhurimin e tij.Ai nuk duhet të bëhet rrob i Ramazanit, por duhet të jetë rrob i denjë i Allahut të madhërishëm të Cilit duhet t’i tregojë nënshtrueshmëri jo vetëm në Ramazan, por edhe jashtë Ramazanit, apo thënë ndryshe në çdo frymëmarje të tij.

Për atë, le të jetë muaji i Ramazanit kthesë në jetën e besimtarit që t’i evitojë gabimet e veta, të jetë më i kujdesshëm në fe dhe të punojë që të jetë i devotshëm gjatë gjithë jetës së tij.

 

 

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP